Kilicdaroglu: Të luftojmë për ta hequr qafe pushtetin brutal

Kandidati për president të Turqisë, Kemal Kilicdaroglu, deklaroi se me votën qytetare, që e dërgoi procesin në balotazh, synon ta largojë pushtetin brutal të presidentit aktual, Recep Tayyip Erdogan.

Ai shkroi në Twitter të martën se mesazhi i ndryshimit ka dalë nga kutia e votimit, ndërsa tha se kërkesa për ndryshim është më e madhe, sesa e kundërta.

Sipas Kilicdaroglut, partia e tij po lufton për të larguar pushtetin e Erdoganit, derisa tha se Turqia ka dalë nga tuneli i errët.

“Ka përfunduar raundi i parë. E vërteta më e madhe është se mesazhi i ndryshimit doli nga kutia e votimit. Ata që duan ndryshim tani janë më të shumtë në këtë vend, se ata që nuk e duan. Megjithatë, edhe kjo është e qartë, ne jemi partia që duhet të luftojmë shumë më shumë për të hequr qafe një pushtet kaq brutal”, theksoi ai.

Të martën foli edhe Erdogan, që tha se i ka filluar përgatitjet për balotazh, që do të zhvillohet më 28 maj.

Ai ka shkruar se partia e tij e ka dhënë provën e parë me zgjedhjet “më kritike më vend, me shumë mirënjohje”.

Sipas Erdoganit, balotazhi do të mbahet një ditë pas 63-vjetorit të grusht-shtetit, derisa shtoi se borxhi ndaj popullit që është sfiduar nga tanket do të shlyhet “duke punuar më shumë dhe duke vrapuar”.

“Mund të shlyejmë borxhin tonë ndaj kombit, që është kujdesur për ne dhe i ka sfiduar tanket për këtë kauzë kur është e nevojshme, duke punuar më shumë dhe duke vrapuar edhe më shumë. Turqia pret shërbim nga ne, pret veprime, kombi ynë pret që ne t’i përmbushim qëllimet tona. Viktimat tanë të tërmetit presin që t’ua shërojmë plagët sa më parë. Tashmë kemi nisur punën për zgjedhjet e 28 majit, pasi u zbardh ngjyra e kutisë së votimit. Me lejen e Zotit do ta bëjmë 28 majin lajmëtar të Shekullit të Turqisë”, shkroi Erdogan.