Nga vrasja e kunatit me bukë në gojë, te polici! Fisi i frikshëm Mërnica! Vrasësi, pjesë e Strukturës së Mbrojtjes së votës së PD në 2021

Familja Mërnica, me të gjithë pjesëtarët e gjinisë mashkullore, të akuzuar e dënuar për vrasje, nuk vjen për publikun, thjesht si një familje me kronologji ngjarjesh e aktesh kriminale. Por për shumë vite ata janë njohur si militantë të ashpër të opozitës, dhe së fundi pjesë në të ashtuquajtur Struktura e Armatosur për Mbrojtjen e Votës, që u ngrit nga PD në vitin 2021.

“Ne jemi larguar nga fshati sepse aty e kishim shumë afër vrasësin e djalit tim.. Babai i Kiri Mërnicës ka vrarë kunatin e tij me bukë në gojë”, ka thënë Dukate Selimi.

Vetëm një dëshmi, nga shumë të tjerë që heshtin në fshatin Sulaj të Fierit, aty ku Mernicat për shumë vite kanë mbjellë frikë dhe terror. Dukate Selimi, nëna e 23-vjeçarit Florian Selimi i vrarë në 2019 nga Kiri Mërnica, vëllai i vrasësit e policit ‘Shqiponjave’ në Fier Novruz Cenalinë, Azgan Mërnica, foli në “Pa Gjurmë”.

“Ata e kanë si motiv të vrasin dhe të mburren për vrasje”, thotë nëna e Florianit.

Për këtë arsye familja e saj, por dhe shumë të tjera e kanë lënë fshatin Sulaj. Dukate thotë se ata nuk janë vetëm, ka të tjerë më armë e që nuk mund tu afrohesh.

“Nuk e mohoj që e njoh fisin dhe familjen Mërnica, janë familje e nderuar, janë demokratë, nuk e mohoj”, u shpreh Luan Baçi në Report Tv.

Kjo është foto që e deputetit Luan Baçi me Azgan Mernicën dhe fisin e tij. Në Sulaj i njohin jo vetëm për bëmat, por edhe si pjesë të  pjesë e Strukturës së Armatosur të PD për Mbrojtjen e Votës në 2021.

Para Azganit, vëllai tjetër Kiri Mërnica bashkë me Sadri Selacin, në vitin 2019-të masakroi me thikë Florian Selimin, djalin e Dukates. E masakruan me thikë dhe trupin ia hodhën në një kanal, ku u gjet pas disa orësh kërkime. Të dy Mërnica dhe Selaci ndodhen në burg me nga 19 vjet burg.

“Në takimet me 2 mijë veta nuk e dimë se realisht pas 2 vjetësh do vrasi. Është fisi i madh në Fier. Historikisht ka qenë demokrat”, thotë Saimir Korreshi.

Edhe deputeti Saimir Korreshi kur doli në Report Tv në ‘Sot Live në Shqipëri’ mbajti të njëjtin qëndrim si Luan Baçi në lidhje me Mërnicat që vrasin. Pas Baçit dhe Korreshit, Adriana Kalaja e Rithemelimit mori ne mbrojtje militantin, vrasësin e policit. “Nuk e vrau ai, ai thjesht shkrepi këmbëzën, tha Kalaja.

E gjitha duke se ka kuptim më shumë se një akt kriminal. Mërnicët, të mbështetur politikisht prej vitesh, kanë patur pushtetin për të terrorizuar e përzënë nga fshati çdo kënd që u dilte kundër.

Të ardhur nga Hasi në Fier, babai i tij, Petrit Mërnica, i cili kishte bërë 20 vite burg për vrasjen e kunatit, duket se nuk ka mundur të mos ua trashëgoi të bijve vrasjen. Djali i tij i madh ndodhet në burg në Gjermani.

Azgan Mërnica shtiu drejt e në kokë policin Cenali, bashkëfshatarin e tij, në një kohë kur në makinë ndodhej njeriu më i afërt, nëna e tij. Kur ai nuk e ndali armë në sy të nënës, askush tjetër nuk do ta stepte.

‘Të vrasin me gjakftohtësi, janë njerëz vrasës e kanë në gjak vrasjen’, thotë Dukate Selimi.