“Shikojani fytyrën!” Rama reagon pas deklaratave të Vulinit për Shqipërinë e Madhe

Pas përfundimit të samitit Rajonal të Ballkanit Perëndimor me BE-në në Mal të Zi, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur interesit të medias shqiptare lidhur me deklaratat e zëvendëskryeministrit serb Aleksandër Vulin, i cili tha se Shqipërinë e madhe mund ta mundë vota serbe, por edhe me ndihmën e Greqisë.

“Një njeri i mençur ka thënë se pas të 40-tave, çdo njeri mban përgjegjësi për fytyrën që ka dhe nëse shikoni fytyrën e personit që i referoheni, mendoj që nuk meriton asnjë koment tjetër edhe deklarata e tij, apo deklaratat e tij”, u përgjigj Rama.

Disa ditë më parë, Vulin u shpreh se “Shqipëria e madhe mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe”, në një reagim agresiv, kundër takimit të kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Greqi.

Për këtë reagoi edhe Ministria e Jashtme shqiptare e cila thirri ambasadorin serb në Tiranë, duke i kërkuar sqarime për deklaratat e fundit të zëvendëskryeministrit serb, Aleksandër Vulin.

Zëvendëskryeministri serb deklaroi se njohja e Kosovë nga autoritetet greke dhe pranimi i Prishtinës në Këshillin e Evropës, do të kontribonte në krijimin e Shqipërisë së Madhe.

“Njohja e të ashtuquajturës Kosovë nga autoritetet greke dhe pranimi i Prishtinës në Këshillin e Evropës, do të ishte një kontribut i pamatshëm i Qeverisë së Greqisë dhe Dora Bakoyanis në krijimin e Shqipërisë së Madhe. Shqipëria mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe, por edhe nga ju grekë të dashur, grekët tanë. Ju lutem mendoni për këtë.”

Kjo nuk është hera e parë që Vulin përmend termin “Shqipëri e Madhe” për të shantazhuar apo kërcënuar një shtet tjetër. Zëvendëskryeministri serbe, përpara se të merrte detyrën, iu drejtua Malit të Zi me fjalë tepër ofenduese për shkak të mbështetjes së rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë të paraqitur në OKB.

“E ardhmja e ish-serbëve është Shqipëria e Madhe. Ose ta thuash në gjuhën e rrjedhshme malazeze: ‘Burrat e mëdhenj u bënë frikacakë dhe tradhtarë’”, ka thënë Vulin disa ditë më parë.